Xhuzepe Okialini (Giuseppe Occhialini), i njohur nga brezi i vjetër i fizikanëve si “Beppo”, lindi në Fosombrone, biri i Augustos, një fizikan me autoritet. Diplomohet në Universitetin e Firences në vitin 1929 me një diplomë mbi rrezet kozmike. Që nga viti 1932 deri në vitin 1937 ishte bashkëpunëtor shkencor në laboratorin e Arçetrit. Laboratori është vendlindja e fizikës italiane të rrezeve kozmike. Duke qenë i familjarizuar me teknikat më moderne shfrytëzon një bursë italiane për të shkuar në Kembrixh për të punuar me Patrik Bleket, një autoritet në fizikën e dhomave të Uillsonit. Në Laboratorin e Kavedishit zhvilluan së bashku dhomën me numrator të kontrolluar, dhomë që fillonte të punonte me arritjen e rrezeve kozmike. Një nga frytet e para të këtij bashkëpunimi ishte zbulimi i çiftit elektron–pozitron, një konfirmim i menjëhershëm i zbulimit nga Karl Andersoni i gjurmëve të grimcave pozitive me masë të vogël. Më pas vijnë studimi i stuhive magnetike dhe zbulimi (së bashku me Blaketin dhe Çedvikun) i çiftit elektron– pozitron të prodhuar nga rrezet gama.
Mbas kthimit në Firence në vitin 1934, Okialini nuk mundi të përballonte klimën përherë e më të mërzitshme politike, ndaj në vitin 1937 pranon vendin e profesorit në Sao Paolo. Me hyrjen e Brazilit në luftë (gusht 1942) ai kthehet atje në një të huaj armik dhe i duhet të largohej nga vendi i punës. Strehohet në malet e Itatiajas, ku jetoi në një kolibe meteorologjike dhe punoi si udhërrëfyes (ai ishte një alpinist ekspert, madje shkroi edhe një guidë të shkëlqyer për këtë çështje, por që nuk u botua.). Mbas kapitullimit të Italisë, në shtator të vitit 1943, ftohet të punojë me K. Kagasi, në atë kohë drejtor i një laboratori biofizik në Rio.
Mbas Luftës së Dytë Botërore shkon në Laboratorin Uills në Bristol të Anglisë për t’u bashkuar me S.P.S. Pauellin. Atje, duke shfrytëzuar një teknikë të re që përdorte fotoemulsionet për dedektimin e grimcave elementare, ndihmon në zbulimin në vitin 1947 të pioneve.
Okialini ka qenë një partner vendimtar në dy zbulime të rëndësishme që u kurorëzuan me Çmimin Nobel, atij që shkoi tek Patrik Bleketi dhe atij që iu dha Sesil Pauellit. Ndihmesa e Bepos megjithatë nuk u injorua plotësisht; ai bëhet fitues i një tjetër çmimi prestigjoz, Çmimit Volt për ndihmesën e tij në zbulimin e prodhimit të çiftit elektron–pozitron dhe pionit të ngarkuar, pranohet anëtar i huaj i Shoqatës Mbretërore, zgjidhet në Akademinë e Linçeistëve (të aftëve) si edhe në shumë shoqëri të tjera profesionale.
Bepo ishte eksperimentues i lindur, teknik i përsosur, punëtor me energji të pashtershme dhe personalitet imponues, i aftë për të transmetuar entuziazmin e tij tek ata që e rrethonin. Kishte intuitë të fortë në fizikë, por shumë rrallë shkroi ndonjë formulë. Ai ofronte rigorozitet në kryerjen e kërkimeve shkencore dhe besim ndaj kolegëve, si brenda ashtu dhe jashtë grupit të tij. Kishte ndjenjën e fortë të pasqyrimit të saktë të rezultateve eksperimentale dhe të përdorimit në artikujt e tij të shprehjeve korrekte. Këto cilësi e kthyen në një model për studentët. Duke qenë një dialektik materialist, shpesh mbështeste një pikëpamje të kundërt edhe kur ishte i një mendje me bashkëbiseduesin, vetëm për të shkatërruar argumentet e këtij të fundit. Atij i pëlqente të shprehej në mënyrë evazive: vërejtjet që bënte shpesh ishin të vështira për t’u kuptuar nga ata që nuk ishin mësuar. I pëlqenin artistët, letërsia dhe poezia; ai arrinte, duke cituar atë “të shihte botën në një kokërr kripe dhe …pafundësinë në një orë”.
0 comments:
Post a Comment