Georg Simon Om

Ligji i Omit është gjëja e parë që na del përpara kur fillojmë të mësojmë elektricitetin. Të gjitha pajisjet elektrike rreth nesh: televizori, kompjuteri, hekuri, makina larëse e kështu me rradhë, janë ndërtuar duke u mbështetur në këtë ligj, i cili pohon: Rryma që kalon nëpër një përcjellës është në përpjesëtim të drejtë me diferencën e potencialeve dhe në përpjesëtim të  zhdrejtë me rezistencën.

Shumë nga ne mund ta kenë harruar, shumë të tjerë nuk e kanë ditur kurrë që Omi ka qenë një person real, i cili jetoi dhe punoi në Gjermani në shekullin XIX.

Georg Simon Om (Georg Simon Ohm) lindi në Erlangen në 16 mars të vitit 1789, në një familje të zakonshme jo shumë të pasur. Ka të ngjarë që interesin për eksperimentet ta ketë trashëguar nga i ati, mjeshtër prodhimi çelsash dhe mekanik i zoti. E ëma, Elisabet Barbara, ishte e bija e një rrobaqepësi. Ajo ishte shumë e këndshme
por vuajti shumë sepse katër nga shtatë fëmijët e saj vdiqën që në moshë të vogël. I ati, një njeri i sakrificës, bëri ç’ishte e mundur që t’u jepte djemve të tij njohuri të qëndrueshme në matematikë, fizikë, kimi dhe filozofi.

Mbas përfundimit të gjimnazit, që shtoi fare pak mbi atë që i kishte mësuar i ati, Ohmi shkon në Universitetin e Erlangenit. Atje studioi për tre vjet, deri në çastin kur i ati fillon të dyshojë që i biri ishte dhënë shumë pas vallëzimeve, bilardos dhe patinazhit në akull. I ati e largon prej andej dhe atij ju desh të jepte për dy vjet mësime si tutor privat. Mungesa e parave dhe e perspektivës në Erlangen e detyruan të kërkonte punë diku tjetër.
Mbas disa kohësh gjen punë në një gjimnaz jezuit të saporeformuar. Aty, në vitin 1817, fillon punën eksperimentale mbi elektricitetin  dhe magnetizmin zbulon ligjin e tij të famshëm.

Në vitin 1826 caktohet në një katedër në Shkollën Politeknike të Nurenbergut, por kjo nuk e ndryshon gjendjen e tij financiare. Ëndrra e tij realizohet kur zë një vend si fizikan në Universitetin e Mynihut. Nuk u martua kurrë dhe vendosi t’i përkushtohet shkencës. Megjithatë zbulimi nuk e bëri të njohur. Pavarësisht nga fakti që botimi i ligjit të tij u bë që në vitin 1827, ai nuk pati për shumë vjet asnjë vlerësim dhe ngritje në përgjegjësi.

Në vitin 1841 mbërrin vlerësimi i parë, mbasi i jepet Medalja Kopli nga Shoqata Mbretërore e
Anglisë (vlerësimi i tij më i rëndësishëm). Një vit më vonë, zgjidhet anëtar i saj i huaj.

Omi punoi edhe mbi zërin, ku në vitin 1841 hedh hipotezën që veshi i njeriut i analizon tingujt kompleksë si kombinime të toneve të pastra. Kjo hipotezë u provua në vitin 1860 nga një tjetër fizikan, Herman fon Helmolc.



Omi vdiq në vitin 1854; për nder të tij njësia e rezistencës elektrike u quajt om.

0 comments:

Post a Comment