Ervin Shrëdinger

Ervin Shredinger (Erwin Schrödinger) ishte fizikan i famshëm teorik austriak. Ai së bashku me fizikanin britanik PAM Dirak është fitues i Çmimit Nobel në fizikë për vitin 1933.

Shrëdingeri lindi në Vjenë në 12 gusht 1887. I ati, Rudolf Shrëdinger, kishte trashëguar nga e ëma një fabrikë të vogël linoleumi, por që nuk i sillte asnjë fitim. E ëma, Georgia, rridhte nga një familje e nderuar. Gjyshja e Ervinit nga e ëma ishte angleze, kurse paraardhësit e saj rridhnin nga një familje normane, Torestiere, fortesa e të cilëve ishte Kështjella Bamburgut në Northumberland. Rudolfi dhe Georgia nuk kishin fëmijë të tjerë. Ervini e kujtonte të ëmën si një grua me konstrukt delikat. Si fëmijë i vetëm, ai pati tërë kujdesin e prindërve. Sipas dëshmisë së vetë Ervinit, i ati ishte për të birin që po rritej shok, mësues dhe bashkëbisedues.Tezja e tij Mini e mësoi të fliste anglisht kur ai ende nuk kishte mësuar të fliste gjermanishten.

Ervini nuk u çua në shkollën fillore, por mori mësime nga tutor privat. U fut në Akademishe
Gymnazium kur ishte 11 vjeç. Që nga fillimi deri në fund ishte i pari i klasës.

Në vjeshtën e vitit 1906 hyn  në Universitetin e Vjenës, ku pati famën e një studenti të talentuar. Në universitet, ajo që e tërhiqte më shumë Ervinin ishte fizika teorike. Artikulli i tij i parë teorik “Mbi teorinë kinetike të magnetizmit”, u paraqit para Akademisë së Vjenës në gusht të vitit 1912. Fillimi i Luftës së Parë Botërore, në gusht të vitit 1914, e gjeti Ervinin pedagog në Universitetin e Vjenës. Gjatë luftës shërbeu si oficer në administratën ushtarake. Në moshën 38 vjeç boton artikullin e tij kryesor, atë që hodhi bazat e  mekanikës kuantike valore.

Shrëdingeri paraqiti ekuacionin që jep   formën e valëve të probabilitetit (ose funksioneve valore), që përshkruan lëvizjen e mikrogrimcave dhe që përcakton cili është ndikimi në këto ekuacione i veprimeve të jashtme.

Në vitin 1927 Shredingeri pranon një ftesë të Universitetit të Berlinit. Qëndron atje deri në vitin 1933. Shtatë vjetët që pasuan i kalon në Austri, Britaninë e Madhe, Romë dhe, së fundi, në vitin 1940, në Dublin. Në Irlandë Shrëdingeri qëndron për 15 vjet. U mor me kërkime në fizikë, në filozofi dhe në historinë e shkencës. Gjatë kësaj periudhe shkroi librin “Ç‘është jeta?”, që është një përpjekje për të treguar se si mekanika kuantike mund të përdoret për të shpjeguar qëndrueshmërinë e strukturave gjenetike. Në vitin 1956 Shrëdingeri del në pension dhe kthehet në Vjenë si Profesor Emeritus në Universitetin e Vjenës.

Shredingeri kishte shpirt poetik; botoi një vëllim me poezi dhe shumë poema të shkurtra. Nuk i pëlqente muzika, por ishte i dhënë mbas teatrit. Deklaronte se ishte ateist, por përdorte simbolizmin fetar dhe besonte që vepra e tij ishte “një afrim për te Zoti”. Ervini nuk u zgjodh kurrë në ndonjë post drejtues në institucione shkencore dhe kishte qëndrim negativ ndaj punës administrative. U martua me Anmarinë, një grua zemërmirë që e çliroi nga të gjitha shqetësimet e përditshme. Ajo nuk mund të lindte. Jo shumë kohë mbas martesës lidhja e tyre u kthye në shoqëri. Pavarësisht nga gjyqet dhe grindjet, jetuan tërë jetën bashkë. Ervini pati tre vajza jashtë martese. Vdiq në vitin 1961 dhe u varros në oborrin e një kishë të vogël pranë Alpbahut, Austri.

0 comments:

Post a Comment