Hans Kristian Oersted

Hans Kristian (Hans Christian Oersted) ishte fizikani danez që zbuloi rrymën elektrike që prodhohet në një fushë magnetike.

Oerstedi lindi në Rudkobing, në ishullin e vogël Langeland, në 14 gusht të vitit 1777. Ai ishte djali i madh i një farmacisti, Soren Kristian Oersted. Meqë  ngarkesa e punës në farmaci ishte e lartë, prindërit e lanë Hans Kristianin dhe të vëllanë më të vogël Andres Sandoe në kujdesin e një parukieri gjerman me të shoqen për të marrë mësimet e para. I vëllai mësoi shpejt gjermanisht duke përkthyer biblën gjermane. Aftësitë e tyre intelektuale ishin te qarta, ndaj fqinjët bën çmos  që t’i mësonin mirë.
Në moshën 11 vjeç Oerstedi filloi të ndihmonte të atin në farmaci. Në vitin 1797, edhe pse të dy vëllezërit kishin pak shkollim zyrtar, futen në Universitetin e Kopenhagës me lavdërime. Andres studioi për jurist, kurse Hansi për shkencat natyrore. Në universitet Oerstedi studioi astronomi, fizikë, matematikë, kimi dhe farmaci.

Në atë kohë Oerstedi ishte nën ndikimin e filozofisë të Imanuel Kantit, i cili besonte se të gjitha forcat e natyrës rridhnin nga dy forca themelore, asaj tërheqëse dhe asaj shtytëse. Ka të ngjarë që kjo ide e udhëhoqi Oerstedin drejt zbulimit më të rëndësishëm, atij të ekzistencës së një fushe të vetme elektrike dhe magnetike, elektromagnetizmit.

Në vitin 1797 Oerstedi diplomohet në farmaci, kurse në vitin 1799 mbron doktoratën me një temë mbi idetë shkencore të Kantit. Për të kompletuar përgatitjen shkencore udhëton në Gjermani dhe në Francë për të vizituar vende të shumta ku fizikanët dhe kimistët punonin mbi elektricitetin. Në vitin 1806 i ofrohet vendi i profesorit në Kopenhagë.

Në ato kohëra forcat magnetike dhe elektrike mendoheshin të ishin krejt të ndryshme. Edhe pse ligjet e tyre kishin shumë ngjashmëri, natyra e tyre mendohej të mos ishte e njëjtë.
Në vitin 1813, Oerstedi propozonte ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet dukurive magnetike dhe elektrike, por nuk mundi ta zbulonte këtë lidhje deri në vitin 1820.

Ndërsa zhvillonte leksion me studentët në universitet, vë re se gjilpëra e një busulle që ndodhej aty pranë lëvizte sa herë që kalonte rrymë në një tel të hollë platini. Sipas fjalëve të tij, eksperimenti nuk i bëri shumë përshtypje të pranishmëve. Edhe ai nuk ishte shumë i sigurt që efekti ishte ai që ai kishte parashikuar. Vazhdon eksperimentet gjatë verës së vitit 1820 dhe i boton rezultatet e tij në një artikull të shkurtër të shkruar në latinisht. Rëndësia e zbulimit të Oerstedit u bë menjëherë e njohur dhe u pasua shpejt me formulimin nga Amperi të ligjit të prodhimit të fushës magnetike nga rryma elektrike.

Më vonë Oerstedi u mor me zhvillimin e galvanometrit dhe arriti të veçojë me sukses aluminin. Ai i përkushtoi shumë kohë ideve të tij filozofike. Në artikullin e tij të fundit “Shpirti në natyrë” propozon harmoninë ndërmjet Shpirtit dhe Natyrës. Botimi mbeti i papërfunduar për shkak të vdekjes në 9 mars të vitit 1851.



Njësia Ø (oersted) për intensitetin e fushës magnetike është quajtur kështu për nder të tij. Intensiteti i fushës magnetike të Tokës është rreth 2 Ø.

0 comments:

Post a Comment