Isak Njuton

Isak Njuton (Isaac Newton), fizikan dhe matematikan anglez,  është një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ishte ai që zbuloi se  drita e bardhë është e përbërë nga ngjyra të ndryshme (1666). Tre ligjet e tij të lëvizjes çuan në formulimin e ligjit të tërheqjes së gjithësishme. (1687).  Ai ishte zbuluesi i sistemit diferencial të llogaritjes (1669). Ai ndërtoi të parin teleskop me pasqyra. (1668).

Isak Njuton lindi ditën e Krishtlindjes të vitit 1642 në shtëpinë e tij në çifligun e Ullsthorp në Linkolnshajer. Ai lindi vetëm tre muaj mbas vdekjes së të atit, ndaj dhe i vunë emrin e të atit, Isak Njuton. Isaku lindi aq i dobët sa askush nuk besonte se ai do të mundte të mbijetonte. Nëna e tij, Hana Ajskou, u martua për të dytën herë. Njerku  i pasur i Njutonit,  Barnabas Smith, nuk pranoi të jetonte me djalin trevjeçar. E ëma me njerkun e lanë Isakun në Ullsthorp me gjyshërit Ajskou, ndërsa vetë shkuan të banonin në një fshat fqinj për të rritur  djalin dhe dy vajzat e tyre. Për nëntë vjet, deri në vdekjen e njerkut, Isaku nuk e takoi nënën e tij. Kjo ndarje duhet të ketë qenë një ngjarje shumë e rëndë në jetën e djalit të vogël.

Sipas dëshmisë së vet Njutonit, ai hyri në shkollën e   Grantham kur ishte 12 vjeç. Në shkollë studioi latinisht, pak greqisht dhe pak aritmetikë, por jo gjeometri. Ai shkruante në latinisht me të njëjtën lehtësi si në anglisht. Njutoni i ri, mjaft më i zgjuar se shokët, nuk ishte shumë i afruar me moshatarët e tij. Ndërmjet ngjarjeve jo të këndshme që i kishte mbetur në mendje nga rinia ishte vjedhja e qershive të Eduard Storer dhe mohimi i këtij veprimi. Kur ishte më i rritur mendohet të ketë patur një histori dashurie ndërmjet Njutonit dhe zonjushës Storer. Sipas saj, Njutoni mbeti shok i saj deri sa vdiq. Asnjë grua tjetër nuk mundi të tërheqë vëmendjen Njutonit. Ai u fut në kolegjin Triniti si subsajzër, student i varfër që jetonte duke kryer punë për studentët më të rritur (subsizarët qëndronin në fund të strukturës sociale të Kembrixhit).

Sipas dokumenteve të kolegjit, ai ishte student më 1664, Beçelor i arteve më 1665, Fellou i ri më 1667, Master i Arteve dhe Fellou i Vjetër më 1668. Thuhet se më 1665, për shkak të epidemisë së madhe të murtajës Great Plague, u largua për ca kohë nga kolegji duke qëndruar në shtëpi. Thuhet se në atë kohë Njutoni, i nxitur nga rënia e një molle, hodhi hipotezën që edhe Hëna binte drejt Tokës në të njëjtën mënyrë. Njutoni arriti në përfundimin se forca tërheqëse e Diellit ndryshon në përpjesëtim të zhdrejtë me katrorin e largësisë nga Dielli. Një nga arritjet e mëdha të Njutonit është zbatimi  i tërheqjes së gjithësishme në lëvizjen e kometave. Newtoni tregoi që orbita e kometave duhet të jetë ose hiperbolike, pra kometat i afrohen vetëm një herë Diellit, ose një eklips i zgjatur, që do të thotë se duhet të kthehet periodikisht pranë Diellit ashtu si kometa e vrojtuar nga shoku i tij  Halej.

Në 1669 Njutoni bëhet Profesori Lukasiën i matematikës. Njutoni shërbeu si mbikëqyrës i Thesarit Mbretëror që nga 1696-ta dhe u bë president i Royal Sosajëti më 1703, post që e mbajti derisa vdiq. Më 1705 ai bëhet i pari shkencëtar britanik që i jepet një titull kalorsiak për kërkimet e tij shkencore. Edhe pse ishte shumë i pasur, mënyra e jetesës së tij ishte fare modeste. Në shtëpinë e tij nuk kishte zbukurime dhe orendi të çmuara. Ai vdiq më 1727 pa lënë asnjë testament.
Sipas biografëve të tij, Njutoni ishte serioz dhe i qetë. Nuk bënte kurrë shaka. Ishte shumë i ndershëm “ndershmëria e tij mund të krahasohej vetem me intelektin e tij”

Libri i tij ‘’Principia’’ konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar ndonjëherë.

.

0 comments:

Post a Comment