Vilhelm Rëntgen

Vilhelm Rëntgen (Wilhelm Röntgen), fizikani i famshëm gjerman, u bë i madh për zbulimin, në vitin 1895,  të  rrezeve X. Lindi në vitin 1945 në Lenep të Rinlandit, Gjermani, në një familje tregtarësh. E ëma ishte kushërira e parë e të atit; Vilhelmi ishte djalë i vetëm.

Rëntgeni, në vitin 1868, diplomohet në Shkollën Politeknike Federale të Zyrihut dhe po aty mbron doktoratën. Pranohet si asistent në Universitetin e Vurcburgut dhe më pas në atë të Strasburgut. Ishte 34 vjeç kur bëhet profesor i fizikës në Universitetin e Gisenit. Në vitin 1887 ftohet të bëhet profesor i fizikës dhe drejtor i Institutit të Fizikës të Universitetit të Vurcburgut që sapo ishte hapur.

Atë ditë të famshme të 8 nëntorit 1895, Vilhelm Rëntgeni mori një tub katodik në formën e dardhës, e mbështolli me karton të zi, errësoi plotësisht dhomën dhe realizoi një shkarkesë të tensionit të lartë nëpër të. Afro një metër larg tubit pa një vezullim drite. Ndezi një shkrepse për të parë se nga vinte. Pa që ishte një karton i vogël i mbuluar me platinocianid të bariumit që po lëshonte dritë lumineshente, pavarësisht nga fakti se ishte plotësisht e izoluar nga tubi katodik me anë të një kartoni të trashë. Shuajti tubin: kartoni i veshur me barium pushoi së vezulluari. E ndezi dhe ai filloi të vezullojë përsëri. Rëntgeni kishte zbuluar rreze depërtuese, të cilave u dha emrin X, meqenëse ky është simboli i zakonshëm me të cilin fizikanët shënojnë të panjohurat. Fillon të studiojë vetitë e rrezatimit X. Disa javë më pas dha leksionin e parë publik për këtë zbulim; në këtë leksion i kërkoi leje një anatomisti të vjetër e të njohur që t’i fotografonte dorën. Ai pranoi; kur pak më vonë Rëntgeni ngriti pllakën e zhvilluar që tregonte strukturën e kockave të të moshuarit, të pranishmit shpërthyen në brohoritje.

Lajmi shpërtheu në të gjithë botën. Është i njohur fakti që brenda katër ditëve nga mbërritja në Amerikë i raportit mbi eksperimentin e Rëntgenit, rrezet X u përdorën për të gjetur vendndodhjen e një plumbi në këmbën e një njeriu. Shumë shpejt rrezet X u përdorën, në të gjitha mënyrat e mundshme, në mjekësi për të vrojtuar trupin e njeriut. Më vonë u gjet se përdorimi i tepruar i rrezeve X mund të shkaktonte djegie të lëkurës, dëmtim të shikimit dhe dëmtime të tjera.

Rëntgeni nuk e patentoi aparatin e tij dhe as nuk kërkoi përfitime financiare nga zbulimi i tij. Paratë e Çmimit të tij Nobel ia dha Universitetit të Vurcburgut për t’i përdorur për zhvillimin e shkencës. Rrezet që ai zbuloi u quajtën “Rreze Rëntgen”.

Rëntgeni u martua me Berta Ludig. Nuk patën fëmijë të tyre, por rritën mbesën e Bertës. Pëlqenin shumë ngjitjet në male. Rëntgeni ishte i dhënë shumë dhe mbas gjuetisë, edhe pse nuk dallonte ngjyrat gjë që ia vështirësonte vrojtimin e kafshëve.

Miqtë e kujtonin si një njeri të fortë, të ndershëm, të fuqishëm me një ndjenjë të fortë humori dhe vetësakrifice për të tjerët.

0 comments:

Post a Comment