Ernest Radherford

Ernest Radherford(Ernest Rutherford), fizikan i madh, njihet si “babai” i fizikës bërthamore. Lindi në Spring Grove, Zelandë e Re, më 30 gusht të vitit 1871, fëmija e katërt ndër 12 fëmijët e Xhejms dhe Martha Radherfordit. I ati bënte rrota ndërsa e ëma ishte mësuese. Në vitin 1887 Ernesti fiton një bursë për në Kolegjin Nelson, një shkollë tetëvjeçare, ku ai bëhet një djalë shumë popullor, duarartë dhe futbollist i zoti. Ishte shumë mirë në histori, gjuhët edhe në matematikë. Në vitin 1894 diplomohet në Kolegjin e Kanterbërit.

Ernesti ishte nga natyra eksperimentalist i shkëlqyer, me aftësi të madhe për t’u hyrë në thellësi problemeve shkencore. Karriera e tij e shquar shkencore fillon që me kërkimin e tij të parë. Gjatë shqyrtimit të magnetizimit të hekurit me nga një rryme alternative që ndryshonte shpejt , gjeti që ai mund të përdorej për kapjen e valëve elektromagnetike, që sapo ishin zbuluar nga fizikani Herc, edhe kur ato kishin përshkuar një mur tulle. Me këtë punim fiton një bursë Ekspozita 1851, bursë që jepej për të vazhduar studimet në Angli.

Radherfordi mbërrin në Kembrixh në vitin 1895 dhe fillon të punojë nën udhëheqjen e Xh.Xh.Tomsonit, në atë kohë autoriteti më në zë për dukuritë elektromagnetike. Ata zbuluan që rrezet X prodhonin në gaze sasi të mëdha grimcash të ngarkuara, jone pozitive dhe negative. Më pas Radhërfordi zbulon që rrezet e uraniumit prodhonin të njëjtat lloje jonesh si edhe rrezet X. Ai përcakton se uraniumi rrezatonte dy lloje rrezatimesh, rrezet alfa dhe beta.

Nga viti 1898 deri në vitin 1907 Radherfordi kryen kërkime  në Universitetin Mekgill në Kanada. Në vitin 1907 shkon në Universitetin e Mançsterit. Bashkë me të shoqen, Meri Njuton, dhe djalin e tyre të vetëm gjashtëvjeçar, Eilin, u vendosën në një shtëpi mesatare po me planimetri shumë të mirë. Për pak kohë bëhet njeriu më popullor në universitet.

Në vitin 1908 Radherfordi bëhet fitues i Çmimit Nobel në kimi për studimin e shpërbërjes së elementeve dhe kiminë e lëndëve radioaktive.

Ndihmesa më e madhe në shkencë e Radhërfordit dhe studentëve të tij të mrekullueshëm vjen në vitin 1911. Gjatë vrojtimit të shpërhapjes së grimcave alfa nga një fletë metalike u vu re se disa prej tyre ktheheshin mbrapsht. Radherfordi argumentoi se një gjë e tillë mund të ndodhte vetëm nëse atomi do të kishte një bërthamë me përmasa shumë të vogla të ngarkuara pozitivisht. Në vitin 1919 rikthehet në Universitetin e Kembrixhit.

Radherfordi përshkruhet nga biografët si një ‘udheheqës tribuje’. Ata theksojnë ndershmërinë, “mirësjelljen me raste”, dashamirësinë dhe inteligjencën. Nuk ishte modest. Ai mund të bëhej agresiv, madje shumë, kur kritikoheshin punimet ose nxënësit e tij. Të folurit e tij ishte plot fjalë të përditshme dhe epigrama. Kushdo në laborator e dallonte zërin dhe të qeshurën e tij me zë të lartë sa herë dëgjonte lajme të papritura.

Thuhet se njëherë në një drekë zyrtare një peshkop e pyeti se sa njerëz jetonin në Ishullin Jugor të Zelandës së Re. Peshkopi u çudit kur mori vesh që nuk jetonin më shumë se 255 000 njerëz dhe e krahasoi “të adhuruarën Zelandë e Re” të Radherfordit me një qytet të vogël në Angli, Stok on Trent. Radherfordi iu përgjigj: “çdo individ në Ishullin Jugor mund të haje të gjithë popullsinë e Stok on Trentit, çdo ditë para se të hajë mëngjez, dhe të mbetet i uritur”.

Radherfordi iu dha titulli Sër në vitin 1914. Në vitin 1932 bëhet baroni Radherford i Nelsonit. Vdes në vitin 1937, mbas një sëmundje të shkurtër. Hiri i tij u vendos pranë varrit të Njutonit në Abacinë e Uestminsterit në Londër.

0 comments:

Post a Comment