Pupin Mikael Idvorski

Pupini është ai që shpiku mjetin që bëri të mundur ndërlidhjen telefonike në largësi të mëdha. Lindi në Idvor, një fshat në veri të Beogradit. Prindërit ishin fshatarë analfabetë, por ata dhe tradita kulturore e njerëzve të tij i nxitën besimin, guximin dhe këmbënguljen të cilat e ngritën në një pozitë të shquar në shkencë dhe shoqëri.

Shkollimi i Pupinit të ri filloi në Idvor, vazhdoi në Panevon aty pranë, dhe përfundoi në Pragë. Në formimin e tij të hershëm ndikimin më të rëndësishëm e luajti e ëma, grua fetare që njihte Testamentin e Ri, atë të Vjetër dhe jetën e shënjtorëve më popullorë. Mbas vdekjes së papritur të të atit largohet për në SHBA.

Në Botën e Re mbërrin pa asnjë grosh, por i etur për të mësuar. Për të siguruar jetën punoi në një fermë, transportoi qymyr për makinat me avull, lyejti mure. Njëkohësisht mësonte, në fillim anglisht, pastaj histori, greqisht, latinisht dhe shkencat natyrore. Në vitin 1879, mbas konkursit të pranimit në Universitetin Kolumbia, fiton një bursë. Atje bie në sy për karakterin miqësor dhe rezultatet sportive.

Vazhdon studimet mbasuniversitare me një bursë nga universiteti. Fillimisht shkon në Kembrixh për të studiuar fizikë-matematikë nën mbikëqyrjen e Tindalit, më pas në Berlin për të punuar me Helmolcin dhe për të mbrojtur doktoraturën.

Me rikthimin në Kolumbia fillon karrierën e tij të suksesshme akademike. Shpikja e tij e parë ishte dhe më e rëndësishmja: analiza teorike dhe më pas realizimi praktik i idesë që vendosja e një bobine në një pozicion të caktuar të një përcjellësi elektrik mund të zvogëlonte shumë shuarjen e valëve elektromagnetike. Procesi njihet me emrin pupinizim. Një zbulim i dytë ishte zbulimi i rrezeve dytësore X. Përdorimi i një ekrani fluoreshent të shkurtonte shumë kohën e ekspozimit për fotografimin me rreze X, duke e bërë atë një mjet praktik për përdorim mjekësor.

24 patentat që regjistroi e bënë shumë të pasur. Duke qenë njeri zemërgjerë, bëri shumë donacione, sidomos për vendlindjen e tij. Mbas Luftës së Parë Botërore, në kohën e krijimit të Jugosllavisë, me anë të lidhjeve të tij me Presidentin Udrou Uillson, ndikoi në faktorin diplomatik. Në SHBA ishte aktiv në themelimin e Shoqatës Amerikane të Fizikës.

Me natyrën e tij dashamirëse frymëzoi shumë nga studentët e tij, ndërmjet tyre dy fitues të Çmimit Nobel, Milikenin dhe Longmyrin. Fizikani i shquar Isidor Rabi përshkruante përshtypjen kështu që ndjenin shumë nga ata që e rrethonin: “kur Pupini dilte nga dhoma të krijohej ndjenja që ishte larguar drita”.

Mendimet personale të Pupinit përshkruhen me ngjyra të gjalla në autobiografinë e tij “Nga emigrant në shpikës”, e cila në vitin 1924 fiton Çmimin Pulitzer me motivacionin “vepra juaj nxit mbështetjen patriotike dhe dashamirëse tek njerëzit”. Një histori interesante në të është ajo kur ai bashkë me shokët ruanin delet në rrethinat e Idvorit. Për të komunikuar me njëri-tjetrin natën e në largësi të mëdha, djemtë ngulnin një thikë në tokë dhe bënin që ajo të dridhej. Vunë re që zëri përhapej më shpejt në tokë se në ajër, që sjellja e tij ndryshonte në terrene me përbërje të ndryshme dhe  eksperienca e fituar u jepte mundësinë të vrojtonin lëvizjet natën.

0 comments:

Post a Comment