Puankare Zhyl Henri

 Në vitin 1887 Oskari II i Suedisë ofroi një çmim 2000 korona (një shumë e madhe parash për atë kohë) për zgjidhjen e problemit të tre trupave, problem që kishte të bënte me gjetjen e mënyrës së bashkëveprimit të tre trupave, siç mund të jenë tre planetë.

Ishte matematikani dhe fizikani i madh Puankare që fitoi këtë çmim. Edhe pse dështoi në gjetjen e një zgjidhjeje analitike, çmimi iu dha për përparimin e bërë në gjetjen e një zgjidhjeje të përafërt.(kompjuterat e sotëm mund të na japin përgjigje me saktësi të madhe dhe për rastin e shumë  trupave).

Si matematikan i shkëlqyer, Puankare dha ndihmesë në teorinë e numrave, teorinë e funksioneve, ekuacionet diferenciale, gjeometrinë e funksioneve, si edhe në astronomi. Ndoshta, ndihmesa më e madhe në fizikën matematike ishte artikulli i tij mbi dinamikën e elektronit, i botuar në vitin 1906. Në të dalin shumë nga rezultatet e teorisë së relativitetit, por që më vonë iu njohën Albert Ajnshtajnit. Me sa duket, ishte Puankare i pari që propozoi konceptin që asgjë nuk mund të lëvizë me shpejtësi më të madhe se ajo e dritës.

Gjatë jetës së tij, jo shumë të gjatë (vdes në moshën 58 vjeç), Puankare boton 500 artikuj dhe mbi 30 libra. Shkruajti dhe ese popullarizuese mbi teorinë e probabilitetit. Ç’është e vërteta, në vitin 1908 ai zgjidhet anëtar i seksionit letrar të Akademisë Franceze për cilësinë letrare të këtyre eseve. Ndihmesa e Puankaresë në shkencë u njoh me zgjedhjen, në vitin 1894, Anëtar i Jashtëm i Shoqatës Mbretërore.

Puankare lindi në Nansi ku i ati ishte mjek dhe pedagog i mjekësisë në universitet. Kushëriri i tij, Rajmon Puankare, ishte President i Republikës gjatë Luftës së Parë Botërore. Familja ishte shumë e pasur. Në fëmijëri ishte delikat dhe i çorientuar. Kur ishte pesë vjeç, i paralizohet përkohësisht laringu nga një goditje difterie. Fillon të marrë mësimet e para në shtëpi nga e ëma. Megjithatë, që në moshë të njomë Puankare shfaq aftësi të jashtëzakonshme në matematikë.

Në lice fiton çmimin e parë në një konkurs të hapur ndërmjet studentëve nga e gjithë Franca. Mbas përfundimit të shkollës, në vitin 1873, hyn në Shkollën Politeknike në Paris. Më pas, studion për inxhinieri në Shkolla e Minierave, por doktoratën e merr në vitin 1879 në matematikë. Menjëherë caktohet të japë mësim në Universitetin e Kaesë dhe dy vjet më vonë kthehet profesor i i matematikës në Universitetin e Parisit

Puankare u martua me Zhanë Luisë Mari Pule D’Ondesi, nga e cila pati katër fëmijë, një djalë dhe tre vajza. Puankare vdes në vitin 1912 nga komplikimet mbas një operacioni të prostatit.

Ai është konsideruar një shkencëtar shumë novator.

0 comments:

Post a Comment