Zgjidhja origjinale u gjet nga Volfgang Pauli me shpikjen e “ligjit të përjashtimit”, ose, siç u quajt më vonë, “Parimin ePaulit” për ndërrimin e atomit. “Gjendja” e çdo elektroni në atom mund të përcaktohet në mënyrë të vetme duke dhënë një katërshe “numrash kuantik”, në një atom nuk mund të gjënden dy elektrone me të katër ‘numrat kuantik’ të njëjtë, ose në të njëjtën gjendje energjetike. Për këtë hamëndje të mrekullueshme bëhet fitues i Çmimit Nobel në fizikë për vitin 1945.
Volfgang Pauli lindi në Vjenë në 25 prill të vitit 1900. I ati ishte Volfgang Josef Pauli, mjek dhe biokimist, që më pas bëhet profesor në Universitetin e Vjenës. E ëma ishte Berta Shulc. Nuni i tij ishte fizikani dhe filozofi i njohur Ernst Mah. Aftësitë e tij të shkëlqyera u bënë të qarta që në shkollë, në Vjenë. Shumë shpejt ai njihet me shkrimet e Albert Ajnshtajnit. I lexonte fshehtasi veprat e Ajnshtajnit në orët e mësimit të lëndëve që e mërzisnin.
Në vitin 1918 Pauli mbaron shkollën e mesme në Vjenë dhe futet në Universitetin e Myniut. Atje merr mësime nga Arnold Zomerfeldi, një nga lektorët më të mëdhenj të fizikës teorike.
Pak kohë më vonë Pauli paraqet një artikull 250 faqesh. Në fakt ishte një monografi: një
hyrje e ngritur në teorinë e Ajnshtajnit mbi relativitetin special dhe të përgjithshëm. Mbas diplomimit Paulit i ofrohet një vend pune si asistent në Universitetin e Gëtingenit. Në këtë kohë Pauli fillon të mendojë mbi shkaqet e vendosjes së elektroneve në nivele të ndryshme energjetike rreth bërthamës. Tre vitet që pasojnë vazhdon punën mbi këtë çështje në
Universitetin e Kopenhages dhe të Hamburgut. “Parimi” i tij u bë i njohur në vitin 1925.
Pauli është i njohur dhe për parashikimin e ekzistencës së neutrinos, grimcës pa masë dhe pa ngarkesë, e cila u zbulua në vitin 1956.
Në vitin 1928 Pauli caktohet profesor në Institutin Federal të Teknologjisë në Zyrih. Në këtë post ai qëndron derisa vdes.
Pauli u martua dy herë, në fillim me Kate Depner pastaj me Franciska Bertram. Nuk pati fëmijë.
Pauli konsiderohej nga kolegët si njeri i mprehtë dhe kritik. Për të ata krijuan një legjendë, të ashtuquajturin “Efekti Paul”; vetëm prania e Paulit në laborator shkaktonte prishjen e aparateve.
Vepra e Paulit u nderua me shumë medalje dhe çmime. Vdes papritur në Zyrih në 14 dhjetor të vitit 1958.
0 comments:
Post a Comment