Aleksandër Popov

Aleksander Popov (Aleksandër Stepanovich Popov), inxhinier dhe fizikan rus, konsiderohet një nga shpikësit e radiondërlidhjes.

Sinjalet e radios përhapen në ajër, në lëndë dhe në boshllëk si valë të padukshme elektromagnetike. Radiovalët prodhohen në një qark elektrik me rrymë dhe përhapen me ndihmën e një antene.

Shpejt mbas prodhimit dhe kapjes në laborator të radiovalëve të para nga fizikani gjerman Hajnrih Herc, njerëzit filluan të mendojnë si t’i përdorin ato për komunikim. Nuk është për t’u çuditur që inxhinierë të vendeve të ndryshme filluan të projektojnë dhënës dhe marrës në largësi të mëdha të radiovalëve. Një prej tyre është Aleksandër Popov.

Popovi lindi në vitin 1859 në një fshat të vogël minator të Bogoslovit afër Ekaterinburgut, rreth 3 mijë kilometra në lindje të Moskës. Si bir prifti, Aleksandri u shkollua falas në një seminar. I ati e nxiti të vazhdonte profesionin e tij dhe të bëhej prift. E, megjithatë, mbas mbarimit të seminarit, atë fillon ta tërheqë fizika dhe matematika. Shkon të studiojë në Universitetin e Shën Petersburgut. Në të njëjtën kohë punonte në një ndërmarrje elektroteknike, e cila kishte dhe centralin e parë elektrik në Rusi.

Popovi nuk pranon një kërkesë për të qëndruar në universitet për të vazhduar karrierën akademike sepse aty nuk kishte asnjë mundësi të bënte kërkime në inxhinierinë elektrike.

Në vitin 1883 i bashkohet stafit të Shkollës së Marinës në Kronshtad, ku specialistë të marinës specializoheshin në të gjitha degët e inxhinierisë elektrike dhe ku ai kishte mundësi të kryente kërkime. I fillon eksperimentet mbi dhënien dhe marrjen e radiovalëve diçka më përpara sesa inxhinieri italian Markoni.

Prodhon marrësin e parë dhe e përmirëson vazhdimisht. Duke e lidhur marrësin e tij me një antenë teli, në vitin 1895, mundi të kapë valët e prodhuara nga një qark lëkundës. Rezultatet u botuan në janar të vitit 1896. Para verës së vitit 1896 aparati ishte paraqituar disa herë në Kronshtad dhe shën Petersburg. Në vitin 1997 transmeton sinjale nga një anije për në breg në një largësi 5 km dhe nga fundi i vitit 1899 e rrit largësinë në 48 km.

Popovi nuk pati përkrahje dhe mbështetje nga qeveria ruse dhe nuk e nxori në treg shpikjen e tij, ndryshe nga Markoni.

Në vitin 1901 Popovi bëhet profesor në Institutin e Inxhinierisë elektrike të Shën
Petersburgut, kurse në vitin 1905 caktohet drejtor i tij.

Popovi ishte jashtë mase i turpshëm dhe modest. U martua dhe pati fëmijë. Tek e shoqja gjen një mik të mirë. Ajo e ndihmoi të përkthente dhe të shkruante artikuj dhe letra. Jeta e rehatshme familjare e lejoi t’i përkushtohej punës së tij. Popovi ishte një nga fotografët e parë amator dhe bëri shumë fotografi. Popovit i pëlqente proshuta siberiane dhe nuk piu kurrë alkool. Thuhet që ka qenë i hutuar. Tregojnë që, mbasi kishte ndërruar shtëpinë, kur dilte nga puna harronte dhe shkonte për nga shtëpia e vjetër.

Në vitin 1905 urdhërohet nga guvernatori i Shën Petersburgut të marrë masa të rrepta kundër lëvizjes së studentëve. Popovi nuk pranoi dhe problemet që iu shkaktuan mbas kësaj ngjarjeje i dëmtuan rëndë shëndetin. Vdes pak kohë më vonë.

0 comments:

Post a Comment