Andrei Dmitrieviç Saharov

Andrei Dmitrieviç Sakharov, ishte fizikan rus që vitet e fundit të jetës bëhet veprimtar i njohur në të gjithë botën i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sakharovi zë një vend të shquar në ndërtimin e bombës termobërthamore (ose me hidrogjen) sovjetike, ndaj shpesh konsiderohet si “babai i bombës sovjetike me hidrogjen”. Ai, së bashku me fizikanin e famshëm I. E. Tamm, përpunoi parimet e mbajtjes magnetike të plazmës me temperaturë të lartë. Ata formuluan bazat teorike të reaksionit termobërthamor të kontrollueshëm – mjeti me anë të të cilit energjia termobërthamore mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike dhe qëllime të tjera paqësore.

Punimet e tij të mëvonshme u përqendruan në strukturën e universit. Sipas ideve të tij, në universin që zgjerohet, lënda është shpërndarë në mënyrë jouniforme. Një nga idetë e tij novatore, që pati ndikim të madh te studimet teorike dhe eksperimentale në fushën e grimcave elementare, ishte ajo e paqendrueshmërisë së protonit.

Andrei Dmitrieviç Sakharovi lindi në Moskë në vitin 1921, në një familje inteligjente. I ati ishte mësues i fizikës dhe autor tekstesh mësimore që përdoren ende edhe sot. Mësimet e para Andrei i mori në shtëpi, nën mbikëqyrjen e prindërve. Në vitin 1938 regjistrohet në departamentin e fizikës të Universitetit Shtetëror të Moskës. Me fillimin e luftës, në vitin
1941, Universiteti u zhvendos në Ashkabad, Turkmeni. Atje, në vitin 1942, diplomohet me rezultate të shkëlqyera. Mbas diplomimit punon në një uzinë ushtarake.

Në vitin 1943 martohet me Klavdia Aleksandjevna Hikhirjevnën. Ata patën dy vajza dhe një djalë. Ajo ia përkushtoi jetën të shoqit. Vdiq në vitin 1969.

Në vitin 1945 fillon studimet pasuniversitare në institutin e fizikës “Lebedjev” në Moskë. Në ato kohë jeta e Saharovit ishte shumë e vështirë. Për disa kohë çifti strehohet me qira në një dhomë në një bodrum plot lagështi, kurse më vonë jetuan në një shtëpi në periferi. Jetonin vetëm me rrogën e studentit pasuniversitar. Megjithatë, për dy vjet, arrin të mbrojë doktoraturën me një tezë mbi teorinë e bërthamës atomike.

Gjatë periudhës 1950–1969 përpjekjet e tij u lidhën më veprimtarinë e Institutit Kombëtar të Fizikës Eksperimentale, ku zhvilloi dhe krijoi armët bërthamore. Mbas eksperimentimit me sukses në vitin 1953 të bombës së parë sovjetike me hidrogjen, zgjidhet anëtar i Akademisë Sovjetike të Shkencave. Për ndihmesën e tij të rëndësishme mori vlerësimet më të larta shtetërore: tre herë Hero i Punës Socialiste, Çmimin Stalin dhe Çmimi Lenin. E megjithatë ai mbeti shumë modest dhe indiferent ndaj famës dhe pasurisë. Saharovi paratë e marra nga çmimet ia fali Kryqit të Kuq për të ndërtuar një spital për kancerin në Moskë.

Në fund të viteve 1950, Saharovin ndjeu qartë rrezikun e përdorimit dhe ruajtjes së armëve bërthamore. Në vitin 1968 boton pamfletin e tij të famshëm, Zhvillimi, bashkekzistenca dhe liria intelektuale, në të cilin jepeshin argumente mbi zvogëlimin global të armëve bërthamore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik. Menjëherë mbas kësaj përjashtohet nga punimet sekrete mbi armët dhe kthehet në institutin e fizikës “Lebedjev:.

Në vitin 1970 Saharovi martohet për të dytën herë. Nusja ishte Elena Georgievna Bonner. Që të dy morën pjesë në një lëvizje dizidente. Bashkimi i solli Saharovit një ndjenjë lumturie që i kishte munguar për një kohë të gjatë. Mbas protestave të tij kundër pushtimit rus të Afganistanit, u izolua në Gorki, ku qëndroi për gjashtë vjet derisa u lirua nga presidenti Gorbaçov.

Saharovi ishte një legjendë e kohës kur jetoi. Krahas dashamirësisë, njerëzit kujtojnë humorin e tij të hidhur. Një nga kolegët e tij tregon këtë histori: Një herë Saharovi erdhi në Institut me taksi, nuk zbriti por qëndroi   për t’i shpjeguar diçka shoferit, ndërkohë që taksimetri ecte. Kur vuri re që taksimetri vazhdonte të ecte, zbriti me shpejtësi dhe pagoi. “Tani e kuptova pse taksisti tregoi kaq shumë interes për teorinë time të konvergjencës”, u tha Saharovi kolegëve duke qeshur.

0 comments:

Post a Comment