Emilio Xhino Segré

Emilio Segré ishte një fizikan i shkëlqyer dhe shumë i suksesshëm. Gjatë karrierës së tij bëri shumë zbulime të rëndësishme, por arritja më e madhe ishte zbulimi në vitin 1955, së bashku me O. Çamberlenin, i antipro
tonit, zbulim për të cilin ndanë Çmimin Nobel në fizikë për vitin 1959.

Emilio Xhino Segré (Emilio Gino Segré) lindi në Tivoli të Italisë në vitin 1905, në familjen e një industrialisti. Mbas mbarimit të Liceut Mamiani në Romë futet në Universitetin e Romës. Dëshironte të bëhej inxhinier, por mbas takimit me Enriko Fermin, që sapo kishte arahur në Romë dhe kishte krijuar një grup kërkimor në fushën e fizikës atomike dhe molekulare, kalon në fizikë. Segré ishte i pari student që bën doktoraturën me Fermin. Punon me Fermin deri në vitin 1936, kohë në të cilën caktohet drejtor i Laboratorit të Fizikës në Palermo.

Kur Segré vizitoi Berklin (pjesë e Universitetit të Kalifornisë në SHBA) në vitin 1936, merr nga Lourenci një mostër molibdeni të bombarduar me deuter në ciklotronin e Berklit. Mbas analizave kimike të mostrës, Segré dhe kolegët e tij konfirmuan ekzistencën e një elementi të ri – numrit 43. Ky ishte i pari element i ri i prodhuar në mënyrë artificiale. Ata e quajtën elementin me emrin – teknecium (në greqisht–artificial). Ai është radioaktiv dhe një nga izotopet e tij përdoret shumë në diagnostikimin mjekësor.

Në një udhëtim të mëvonshëm në Berkli në vitin 1938 Segré mëson se si çifut, me një ligj të Musolinit, e kishin larguar nga vendi që mbante në Palermo. Për këtë arsye vendos të mos kthehet e të qëndrojë në Berkli.

Segré qëndron në Berkli gjithë pjesën e mbetur të karrierës, përjashtuar kohën e  luftës gjatë së cilës punoi në Los Alamos. Në vitin 1946 i jepet vendi i profesorit në departamentin e fizikës. Në Berkli, në vitin 1940, zbulon një element tjetër të ri , atë që sot quhet astatine (elementi i 85-të), si edhe plutonin.

Segré takon përsëri Fermin, kësaj radhe në SHBA, për të diskutuar mbi përdorimin si lëndë djegëse bërthamore të plutonit 239 në vend të uranit 235.

Segré u caktua drejtues i njërit nga grupeve në Laboratorin Shkencor të Los Alamosit që punonin për
Projektin Manhaten (emri i projektit për zhvillimin e bombës atomike).

Mbas lufte kthehet në Berkli ku, në vitin 1955, fillon të punojë mbi bashkëveprimin proton–proton dhe proton–neutron. Segré llogariti që për prodhimin e një antiprotoni duhej një energji afro 6 miliard elektron, volt (BeV), energji që mund ta siguronte akseleratori i ri i ngritur në Universitetin e Kalifornisë. Ai dhe kolegët e tij ndërtuan një pajisje e cila ishte në gjendje të dallonte antiprotonin ndërmjet shumë grimcave të tjera që shfaqeshin mbas bombardimit të bakrit me protone. Ky zbulim tregoi se teoria e antilëndës e Dirakut ishte  korrekte.

Segré u martua dy herë . Nga martesa e parë pati tre fëmijë. Ai është i njohur për numrin e shkrimeve dhe botimeve. Shkroi edhe një biografi të Fermit. U nderua me shumë medalje dhe doktorata nderi. Vdes në vitin 1989 nga një infarkt.

0 comments:

Post a Comment